Sot, në 27 nëntor, në prag të 100 vjetorit të Pavarësisë, studentët e shkencave politike të vitit të II-të dhe studentët e drejtësisë të vitit të I-rë, organizuan forumin studentor me temë ”Shteti në këndvështrimin e klasikëve dhe 100 vjetori i pavarësisë së Shtetit Shqiptar”,
Ata zgjodhën të diskutojnë konceptin e “shtetit” në këtë jubile shqiptar, duke e zbërthyer atë deri në detaje dhe në një këndvështrim më akademik me ndihmën e filozofëve më të shquar evropianë por edhe burrave të shtetit shqiptar.
Në qendër të prezantimeve të tyre filozofike paneli i drejtuar nga Gëzim Buci dhe studentet Çeleste Jeshili, Denisa Jolla, Afërdita Peçi dhe Xhensila Baganaçi trajtuan edhe koncepte të lidhura me shtetin si Sovranitet, Pushtet dhe ndarje pushtetesh, Individi dhe Kontrata Sociale etj, të trajtuara gjerësisht nga filozofi liberal John Locke, por edhe realisti Tomas Hobbes, nga Jean Bodin dhe Rousseau etj.
Ata e vazhduan edhe më tej këtë forum ku në pjesën e tij të dytë i kushtuan hapësirë pikërisht shtetit shqiptar dhe e nisur me të famshmin pohim të presidentit amerikan Woodrow Wilson, i cili në vitin 1919, ku në Konferencën e Paqes në Versajë, tha: “Një zë kam dhe atë zë do të përdor në mbrojtje të Shqipërisë”. Ndërsa në mbyllje u citua fjalimi i Sekretares së Shtetit Amerikan drejtuar Kuvendit të Shqipërisë dhe urimi i dërguar nga Presidenti Amerikan për 100 vjetorin e Pavarësisë. Studentet Stela Drici, Sara Banushi, Majlinda Kola dhe Dorina Terziu por edhe Florian Dauti me shumë profesionalizëm prezantuan edhe krijimin e federatës “ Vatra” dhe rolin e Fan S. Nolit dhe të Faik Konicës si udhëheqësit kryesorë të lëvizjes kombëtare shqiptare.
Forumi i cili zgjati për rreth një orë u zhvillua në një atmosferë festive dhe u përgëzua nga të gjithë të pranishmit. Veçanërisht profesoreshë Zamira Çavo dhe profesor Erjon Kristo, shprehën vlerësimin e tyre për këtë inisiativë duke i inkurajuar studentët të organizojnë forume të tjera.
