Ditën e enjte 22.11.2012 dhe premte 23.11.2012 Fakulteti i Ekonomisë dhe Financës në Universitetin Barleti zhvilloi leksione të hapura me studentët e sistemit Bachelor dhe atij Master, në të cilat ishte i ftuar z.Les Nemethy. Leksionet me temë: “Çlirimi i vlerës: Çelësi për një dalje të suksesshme nga biznesi” morën nismë nga botimi i librit të z.Nemethy me të njëjtin titull.
Z. Nemethy shkruan këtë libër pas një përvoje të gjatë si Specialist privatizimesh në Bankën Botërore dhe Drejtor Ekzekutiv në kompani të rëndësishme financiare. Në leksion u trajtuan çështje të rëndësishme që prekin thellë jetën e një biznesi , që nga momenti i lindjes së tyre me sigurimin e kapitalit të nevojshëm e deri tek ai i daljes nga biznesi, i cili sipas z. Nemethy duhet të konsiderohet si një moment kyç për pronarët e biznesit.
Cilat janë sfidat me të cilat përballet një njësi ekonomike, planifikimi për daljen nga biznesi, mundësitë e daljes, zgjedhja e alternative të duhura, instrumentat kryesorë për një dalje sa më të suksesshme nga biznesi, etj., ishin disa nga tematikat e diskutuara gjatë këtyre leksioneve. Veçantia e temave dhe rëndësia që ato kanë në jetën e çdo njësie ekonomike ashtu si edhe në formimin e ekonomistëve të ardhshëm bënë që leksionet të ngjallnin shumë interes në të pranishmit.
Takimet zgjatën pothuajse 2 orë secili dhe u shoqërua me pyetje dhe diskutime të shumta nga ana e studentëve.
Fakulteti i Ekonomisë dhe Financës duke falenderuar pjesëmarrësit shpreh vullnetin për të tjera takime të këtij lloji me qëllimin për të afruar sa më shumë studentët tanë me përvojën e profesionistëvë të rëndësishëm në Shqipëri dhe jo vetëm.
