Në javën 14-20 tetor 2012 një grup i përbërë nga pedagogët Ledian Droboniku, Elona Bano dhe studentët e degeve drejtësi dhe shkenca politike: Kleina Kasanai, Zela Bilalaj, Borana Kalemi, Eranda Muskaj, Matilda Dajti dhe Eduard Qatja me një ftesë nga Seconda Universita di Napoli vizituan këtë universitet dhe qytetin e Napolit. Kjo vizitë vjen në vazhdimësi të marrëveshjes së bashkëpunimit që ka universiteti ynë dhe SUN. Përgjatë një jave studentët tanë patën mundësi të ndjekin leksione të ndryshme si E drejta Evropiane e Krahasuar, E drejta Private Ndërkombëtare, E drejta Kushtetuese etj.
Interesante ishin jo vetëm ndjekjet e leksioneve të ndryshme por edhe vizita që na u mundësua nga prof. Chiefi pranë këshillit rajonal të rajonit Campania (Consiglio regionale di Campania) ku na priti vetë presidenti i këtij këshilli z. Paolo Romano dhe Drejtoresha e drejtorisë së Ceremonive publike dhe e Protokollit prof. Annapaola Voto. Studentët për rreth 3 orë patën mundësi që të njiheshin më mirë me organizimin e pushtetit lokal sipas legjislacionit italian, si dhe të shihnin sëafërmi procesin e vendimmarrjes në këtë këshill. Po ashtu përvetësuan më së miri nocione si subsidiariteti, autonomia lokale apo edhe transparenca me publikun me qëllim rritjen e besimit të publikut ndaj qeverisjes.
Një event tjetër i rëndësishëm në të cilin u asistua ishte dhe hapja e vitit të ri akademik 2012-2013 me leksionin e mbajtur nga Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Italisë, Alfonso Quaranta rreth të drejtave të njeriut, paprekshmërisë së tyre dhe detyrimit shtetëror për mbrojtjen dhe garantimin e këtyre të drejtave.
Në këtë vizitë u ndërthurën shumë bukur jeta akademike dhe vizitat kulturoro-turistike. Kështu grupi i studentëve dhe pedagogëve patën mundësinë të vizitonin Vullkanin e Vezuvit, qytetin e lashtë të Pompeit si dhe Napolin me piazzat e mrekullueshme: Piazza Plebiscitio, Piazza Vittoria, Lungo Mare, Fakultetin e Drejtësisë Frederiko II, formuar që në 1200-ën si dhe Akademine Piemontana.
Kjo vizitë ishte vetëm fillimi i konkretizimit të bashkëpunimit mes dy universiteteve qëllim kryesor shkëmbimin e studentëve për programet master mes tyre.
