Në Universitetin “Barleti” në datën 18 tetor 2012, në prag te Ditës së Lumturimit të Nënë Terezës, u zhvillua një simpozium shkencor me fokus “Nënë Tereza dhe shqiptarët”.
Miq dhe të ftuar, së bashku me studentët dhe stafin akademik të Universitetit, ndoqën me interes kumtesat e përgatitura nga pedagogët e departamentit të Sociologjisë, Psikologjisë dhe Edukimit në Fakultetin e Shkencave Sociale, nismëtar dhe organizator i këtij simpoziumi.
Rektori i universitetit “Barleti” Prof. Marenglen Spiro, duke vlerësuar personalitetin e Nënë Terezës theksoi rëndësinë e aktivitetit veçanërisht për dy aspekte. Së pari, që studentët të kuptojnë se UB respekton e vlerëson po aq figurat e rëndësishme të jetës filozofike, shkencore e akademike sa edhe ato të asaj shoqërore e shpirtërore, pjesë e formimit dhe edukatës njerëzore. Së dyti, figura e Nënë Terezës mbart edhe ngarkesë filozofike, e denjë për përgjithësime teorike në ndihmë të formimit të studentëve veçanërisht, në drejtim të edukimit të përfytyrimeve njerëzore të jetës në shoqëri dhe familje. Në këtë kuptim, duket se nuk është rastësi - vuri në dukje ai - që UB sistemin e doktoratës e fillon me “Studime mbi Familjen dhe Komunitetin„.
Dr. Tonin Çobani, i ftuar në këtë aktivitet, njohës dhe studiues i filozofisë dhe veprimtarisë së Nënë Terezës dhe bashkëautor i librit të botuar në Prishtinë, “Nënë Tereza” mbajti kumtesën, që u ndoq me shumë interesim nga të pranishmit, “ 1989 : rënia e Murit të Berlinit dhe ardhja e parë (jo) rastësore e Nënë Terezës në Shqipëri„.
Dr. Saemira Pino, dekane e Fakultetit të Shkencave Sociale, nënvizoi idenë se pavarësisht këndvështrimeve të ndryshme mbi të drejtat e njeriut, modeli i Nënë Terezës, ai i largimit nga çdo lloj diskriminimi dhe përjashtimi social të cilitdo, në emër të dashurisë për njeriun, duhet të udheheqë çdo individ, dhe për më tepër studiuesit socialë.
Dr. Marjana Çadri, përgjegjëse për Edukimin në UB, në kumtesën e saj “Transmetimi i vlerave- nëpërmjet edukimit” theksoi se Nënë Tereza e orientuar që në rininë e herëshme nga pasioni që kishte për t’u bërë mësuese, gjatë gjithë jetës ka zhvilluar, mbartur dhe transmetuar vlera personale dhe universale nëpërmjet edukimit, si tolerancën, guximin, durimin, por mbi të gjitha vlerat, dashurinë e madhe dhe përkushtimin ndaj njerëzve.
Dr. Lekë Sokoli, prorektor i universitetit “Barleti” nëpërmjet një materiali të pasur mbi temen “Nënë Tereza dhe shqiptarët- një gërshetim natyror ?” ndër të tjera tërhoqi vëmendjen e auditorit dhe ftoi në diskutim pjesëmarrësit për t’i dhënë përgjigje pyetjes mbi natyrën e shqiptarëve dhe për t’u përballur jo vetëm me fakte empirike, por edhe me argumente shkencore me mitet rreth kësaj natyre.
Diskutimi mbetet i hapur....
