Tirana – Barleti Volley (1-3)
(25-19; 18-25; 13-25; 19-25)
Barleti Volley ka fituar mbrëmë 3-1 në "Fahrie Hoti" ndaj Tiranës, në sfidën e javës së 9-të dhe të fundit të fazës së parë, duke qëndruar në vendin e dytë, një pikë pas Minatorit. Skuadra e trajnerit Tartari arrin të përmbysë avantazhin fillestar të kampioneve bardheblu, duke luajtur më mirë dhe duke merituar fitoren. Tirana tregoi një nivel të kënaqshëm në setin e parë, duke luajtur qetë dhe pa gabime. Barleti Volley luan pa forcën e duhur dhe kjo i jep mundësi ekipit bardheblu të fitojë 25-19. Por këtu duket se mbyllet takimi për Tiranën, që duket se nuk ekziston më në fushë, duke gabuar shumë. Por edhe Barleti Volley e ngre ndjeshëm lojën e saj, është më konkrete në sulm dhe mbron mirë. Seti i dytë është i ngjashëm me të parin, por në kah të kundërt. Barleti volle është superiore dhe fiton, epërsi të cilën e konfirmon edhe në setin e tretë, duke fituar me shifra edhe më të thella, 13 - 25. Tirana duket se nuk ka forcën e duhur për të reaguar, megjithë përpjekjet e trajnerit Gurabardhi për të ndryshuar lojë. Barleti Volley përfiton nga një Tiranë pa nerv, duke fituar 19 - 25 edhe setin e katërt dhe krejt ndeshjen 1 - 3, duke marrë tri pikë që e konsolidojnë në vendin e dytë. Për bardheblutë kjo është humbja e dytë në kampionat pas asaj me Minatorin, sërish në fushën e tyre, duke zbritur në vendin e tretë në renditje. Gjithsesi, skuadrat dhuruan një lojë me nivel të kënaqshëm, duke argëtuar shikuesit e shumtë të pranishëm, ndërkohë që të shtunën nis faza e dytë e kampionatit.
