Universiteti “Barleti” mirëpriti të hënën, datë 5 nëntor 2007, etnologun francez, specialist të Shqipërisë, dr. Gilles de Rapper. Në kuadrin e lektoriumeve për shoqërinë e hapur u mundësua trajtesa e dr. de Rapper mbi rezultatet e studimeve kërkimore të tij me temë “Shqipëria dhe shqiptarët”. Në përfundim, dr. de Rapper iu përgjigj pyetjeve të studentëve dhe përfaqësuesve të medias në një diskutim të hapur.
Dr. Gilles de Rapper ka studiuar marrëdhënie ndërkombëtare në Universitetin Marne-la-Vallée. Më parë ai ka marrë titullin Ph.d për antropologji sociale në Universitetin Paris X - Nanterre ; doktoratura e mbrojtur në 1998 kishte pikërisht si temë «Kufiri shqiptar. Familja, shoqëria dhe identiteti kolektiv në Shqipërinë e Jugut» (La frontière albanaise. Famille, société et identité collective en Albanie du Sud).
Kërkues në CNRS, Institutin e Etnologjisë Mesdhetare dhe Krahasuese (IDEMEC) në Aix-en-Provence, de Rapper bashkëpunon me Shoqatën franceze të studimeve ballkanike. Punimet e tij trajtojnë çështjet e kufijve dhe lëvizjeve të popullsisë në Evropën Juglindore. Në veçanti studimet kërkimore të tij kanë prekur tema si:
1. Sistemi familjar dhe organizimi shoqëror mes shqiptarëve,
2. Emigrimi dhe mobiliteti: emigrimi i hershëm dhe ai aktual i shqiptarëve drejt Greqisë e Turqisë,
3. Antropologji e kufijve të përbashkët: organizimi hapësinor i vendbanimeve kufitare, roli i shtetit, konceptimi i shtetit dhe kombit në situata ndërkufitare.
Si etnolog specialist për Shqipërinë dhe francez nga kombësia, nuk mund të mungonte një kontakt me Ismail Kadarenë. Autorësi të dyfishtë, në fakt, mbante libri i publikuar në 2004 nga shtëpia botuese Actes Sud «Shqipëria mes legjendës dhe historisë» (LNULLAlbanie entre la légende et lNULLhistoire), një bashkëbisedim dhe analizë mbi veprën e shkrimtarit shqiptar më të përkthyer e vlerësuar në Francë.
Më tepër rreth lektoriumit
Por si lindi e u zhvillua ky interes për vendin tonë?
“Në fund të viteve ’80 rastësisht profesori përmendi një roman të Kadaresë, Prilli i thyer, duke dashur ta sillte si shembull të sistemeve farefisnore në Evropë, - tregon de Rapper. - U frymëzova dhe kërkova të thelloj më tej kërkimet, dhe pse në atë kohë për Shqipërinë nuk kishte shumë material në këtë aspekt. Pushimet në Greqi dhe vizita në Shqipërinë e Jugut qenë një rast për të vështruar për herë të parë nga afër këtë vend, që e pëlqeva shumë. Dhe që u bë frymëzim për doktoraturën (nisur ne 1995) mbi shoqërinë shqiptare, duke analizuar ne veçanti zonën e Devollit.”
Më pas, në 2002 Gilles de Rapper u kthye në Shqipëri për të nisur një kërkim në terren mbi ndikimin e emigracionit, duke marrë si objekt studimi zonën e Lunxhërisë (Gjirokastër). “Si etnolog, jo folklorist, - saktëson de Rapper - i interesuar jo aq për veshjet tradicionale dhe kulturën, sesa për marrëdhëniet sociale brenda kësaj krahine.”
Një vit më vonë, së bashku me një koleg gjeograf francez u kthye në juglindje të Shqipërisë ku realizoi një dokumentar mbi festat fetare e panairet në Voskopojë, Vithkuq, Hoçisht (Devoll). Karakteristike ishte zhvillimi në vende kulti të krishtera të këtyre evenimenteve dhe pjesëmarrja në to edhe e myslimanëve të zonës.
Në 2005 Gilles de Rapper kreu një studim në terren mbi ndarjet e pronave në Gjirokastër, me qëllim krahasimin e fshatrave brenda kësaj zone, tipareve të tyre të ndryshme ekonomike (lidhur me dukuritë e emigracionit, lëvizjet e popullsisë) dhe përkatësisë fetare.
Po studimi kërkimor në zonën e Devollit, cilën hipotezë shtroi dhe në ç’rezultate arriti?
Devolli, zonë në kufi me Greqinë e vizituar nga de Rapper pak pas hapjes së kufirit shqiptar, u mendua si një objekt i mirë kërkimi për të analizuar ndikimin e fuqishëm që ky fenomen (hapja e kufirit, pra) ushtron mbi shoqërinë lokale. Në këtë mënyrë kërkimi kthehej në vëzhgim të shoqërisë shqiptare. Kjo koinçidoi me kohën kur ishte “në modë” fusha e kërkimit mbi antropologjinë e kufijve, zhvilluar deri në atë moment nga dy profesorë në Belfast (Irlandë).
“Ideja fillestare ishte studimi në dy anët e kufirit. Por megjithëse ia dola mbanë të kaloja përmes doganës greke a jashtë saj, në mënyrë legale a ilegale, megjithëse intervistat i zhvillova në të dy anët e kufirit, u përqendrova më shumë në anën shqiptare. Dhe kështu nisa studimin e lëvizjes së popullsisë, kalimet në kufi dhe organizimin farefisnor në këto zona lidhur me fenomenin e emigracionit.
...Kur diçka e papritur ndodhi.
Një faktor i paparashikuar doli gjatë kërkimit ne terren: Feja. Para se të vija këtu besoja në mënyrë të pavetëdijshme, nisur dhe nga ç’kisha lexuar nga antropologjia shqiptare, se në Shqipëri feja nuk luan asnjë rol në jetën shoqërore. Ndërsa në Devoll vija re se njerëzit flisnin gjatë gjithë kohës për Zotin, për fenë. Dhe përkatësitë fetare kishin ndikim të fortë në marrëdhëniet sociale. Për shembull, të krishterët dhe myslimanët në Devoll nuk jetonin në të njëjtin fshat dhe, nëse jetonin në të njëjtin fshat, banonin në lagje të ndryshme. S’kishte pothuaj fare martesa ndërfetare mes myslimanëve dhe të krishterëve. Stereotipet ishin reciproke (“të krishterët-të pabesë”, “myslimanët-të dhunshëm, të prapambetur” etj.). Por ajo që kishte rëndësi ishte fakti që stereotipet ndikonin jetën shoqërore. Dhe kjo është e kundërta e asaj që gjendet në ligjërimet që jemi mësuar të dëgjojmë, dhe jo vetëm në shkrime akademike. Po të pyesje në Devoll se ç’rol luante feja, banorët përgjigjeshin “s’ka rëndësi”, “ne jetojmë bashkë, “jemi vëllezër” etj.”
Ky është interesi i metodologjisë etnografike të quajtur participant observation ose përfshirja afatgjatë në shoqërinë lokale. Kjo metodë fillimisht u zhvillua në fushën kërkimore të antropologjisë sociale, sidomos të Bronisław Malinowski dhe studentëve të tij në Britani, studentëve të Franz Boas në SHBA, dhe kërkimeve urbane të Chicago School of sociology. Participant observation është prirja e disa strategjive kërkimore që synojnë të arrijnë një familjaritet të ngushtë e familjar me një grup të caktuar individësh dhe sjelljet e tyre (si grupe fetare, pune, të një subkulture apo komuniteti të veçantë), përmes një përfshirjeje intensive me njerëzit në ambientin e tyre natyror, shpesh të realizuara në periudha të gjata kohore. Siç thotë dhe de Rapper “Shpenzova 11 muaj në Devoll, duke lëvizur nga fshatrat myslimanë në ata të krishterë, duke u përpjekur të tregoj kujdes ndaj çështjeve fetare, diskutimeve të njerëzve, duke asistuar në ceremoni fetare. Por s’kisha ndërmend të kryeja një kërkim mbi fenë, as nuk kam përdorur pyetësor mbi të.”
Dr. Gilles de Rapper nuk harron të nënvizojë që në zonat ku ka përqendruar studimet e tij kërkimore përkatësia fetare nuk është rreptësisht e aplikuar (“myslimanët pinë alkol, hanë mish derri”). Gjithashtu pranon që situata në zonat rurale (si Devolli), për nga popullsia dhe pozita gjeografike nuk është e njëjtë me organizimin e jetës në metropolet e mëdha (si Tirana, ku banon pothuaj 1/3 e popullsisë kombëtare). Identiteti krahinor është i lidhur me atë urban, por janë dy gjëra të ndryshme.
Pyetjeve të shumta të auditorit që kishte mbushur sallën e konferencave në Universitetin “Barleti”, dr. Gilles de Rapper iu përgjigj duke sjellë si shembull të fundit një studim si “Modernizimi i shoqërisë franceze”, për të cilin dy studiuesit në fjalë zgjodhën një fshat të vogël të Francës.
Sipas ligjit të ologramatikës, çdo pjesë e sistemit mbart informacionin e plotë mbi sistemin. Kështu, në çdo segment të shoqërisë mund të gjendet tërësia e një shoqërie. Dhe ky mund të jetë, sipas dr. Gilles de Rapper, rasti i Devollit.
Më tepër mbi metodologjinë Partecipant observation
Metoda dhe praktika: Kjo metodologji zakonisht përfshin një varg metodash: intervista joformale, vëzhgime të drejtpërdrejta, pjesëmarrje në jetën në grup, diskutime kolektive, analiza të të dhënave personale të prodhuara në grup, vetë-vëzhgim, histori jete. Pra, edhe pse metoda përcaktohet përgjithësisht si kërkim kualitativ, mundet (dhe shpesh kështu ndodh) të ketë përmasa kuantitative. Partecipant observation zakonisht ndërmerret në planin afatgjatë, që shtrihet nga disa muaj në disa vite. Kjo bëhet në mënyrë që studiuesi të jetë në gjendje të mbledhë informacion më të detajuar dhe të saktë mbi njerëzit që po studion. Detaje të dukshme (si përcaktimi i kohës ditore) dhe të tjerë më të fshehur (si sjelljet taboo) janë më të lehta për t’u vëzhguar e kuptuar në periudha të gjata kohore. Duke forcuar vëzhgimin dhe bashkëveprimin për një kohë të gjatë, studiuesi mund të nxjerrë në pah mospërputhjet mes asaj që pjesëmarrësit thonë - dhe shpesh besojnë - se duhet të ndodhë (sistemi formal) dhe asaj që realisht ndodh; ose mospërputhjet mes aspekteve të ndryshme të sistemit formal. Nga ana tjetër, anketimi në një kohë të vetme i përgjigjeve të njerëzve ndaj një seri pyetjesh fikse mund të jetë i pajtueshëm, në përputhje, por ka më pak gjasa të tregojë konfliktet mes aspekteve të ndryshme të sistemit social ose mes perceptimit të vetëdijshëm dhe sjelljes praktike.
Historia dhe zhvillimi: Partecipant observation i ka rrënjët në antropologji dhe si metodologji u themelua nga Frank Hamilton Cushing në studimet e tij kërkimore mbi indianët Zuni në gjysmën e dytë të shekullit XIX, ndjekur nga studimet mbi shoqëritë jo-perëndimore të studiuesve si Bronislaw Malinowski, Edward Evans-Pritchard, Margaret Mead në fillimet e shekullit XX. Metodologjia u shfaq si një qasje ndaj studimeve etnografike të antropologëve dhe u mbështet në kultivimin e marrëdhënieve personale me informues lokalë si një mënyrë për të mësuar rreth një kulture, duke përfshirë vëzhgimin e një grupi si dhe pjesëmarrjen në jetën sociale të tij. Duke jetuar me kulturat të cilat i studionin, këta kërkues ishin në gjendje të formulonin përshtypjet e para dhe të mblidhnin të dhëna të reja falë depërtimit thellë në to. E njëjta metodë studimi është aplikuar gjithashtu mbi grupet në shoqërinë perëndimore, dhe ka rezultuar veçanërisht e suksesshme në studimin e sub-kulturave ose grupeve ku ndahet një ndjenjë e fortë identiteti, ku vetëm duke marrë pjesë vëzhguesi mund të hyjë vërtet brenda jetëve të atyre që po studion.
Që në vitet ’80 disa antropologë dhe shkencëtarë të tjerë socialë kanë vënë në dyshim aftësinë e partecipant observation për të depërtuar realisht brenda mendjeve të njerëzve. Në të njëjtën kohë, një program kërkimor kualitativ më zyrtar, i njohur si grounded theory, ndërmarrë nga Glaser dhe Strauss, nisi të fitonte pikë brenda sociologjisë amerikane dhe fushave të ndërlidhura si shëndeti publik. Të nxitur nga kjo, disa etnografë i kanë përpunuar metodat e tyre, duke u bërë më të vëmendshëm ndaj testimit të hipotezave të përcaktuara, ose duke i strukturuar interpretimet e tyre brenda një epistemologjie të marrë më seriozisht në konsideratë.
Pjesëmarrja “vëzhguese” është përdorur gjithashtu për të përshkruar fushën e studimeve mbi sub-kulturat e minoriteteve seksuale nga antropologë dhe sociologë që kanë qenë vetë trans-bi-homoseksualë. Të folurit ndryshe ka si qëllim të hedhë dritë mbi mënyrën si pjesëmarrja e pjesshme apo e plotë e studiuesve në komunitetin/subkulturën që po studiojnë mundëson:
• një mënyrë depërtimi ndryshe brenda komunitetit dhe
• një formulim të perceptimit të tyre në mënyrë të ndryshme nga ajo e një vëzhguesi krejtësisht të jashtëm.
Kjo është për shembull konsiderata e antropologëve bi-kulturorë mbi një kulturë të cilës pjesërisht i përkasin.
