Në kuadër të Javës globale të parasë 2024, studentët e Departamentit të Ekonomisë, Sipërmarrjes dhe Financës me pedagogen Dr. Blerina Banushi zhvilluan gjatë ditës së sotme një vizitë studimore në Muzeun e Bankës së Shqipërisë.
Java globale e parasë është një festë mbarëbotërore e parasë, e cila synon ndërgjegjësimin e të rinjve për të qenë qytetarë të ardhshëm të përgjegjshëm dhe të aftë për të marrë vendime financiare të mirëmenduara në funksion edhe të përdorimit të teknologjisë moderne.
Të rinjtë janë më shpesh viktima të mashtrimeve financiare, për shkak të kontaktit të tyre të vazhdueshëm me teknologjinë dhe informimit të pamjaftueshëm për rreziqet e mundshme gjatë përdorimit të teknologjisë moderne dhe metodat moderne të pagesës për ofrimin e produkteve dhe shërbimeve të reja financiare.
Në këtë vizitë, studentët e vitit të parë dhe të dytë "Bachelor" në profilet "Financë - Kontabilitet" dhe "Financë, Bankë, Sigurime dhe Pasuri të Palujatshme" u njohën me historikun e parasë dhe banking-ut në Shqipëri nga antikiteti në ditët tona, si të kujdesen për paratë dhe kursejnë, si të mendojnë financiarisht, si t’i kuptojnë ndryshimet në sistemet ekonomike ku jetojnë, si të fitojnë të ardhura nëpërmjet sipërmarrjes dhe të vendosin bazat për të ardhmen e tyre nëpërmjet kulturës financiare.
Gjithashtu, studentët u njohën me postet e punës në fillimet e funksionimit të Bankës së Shqipërisë, duke përfshirë makinën e shkrimit, makinën llogaritëse, vulën etj. Në përfundim të vizitës studentët patën mundësi të realizonin dhe fotot e tyre në monedhë, si dhuratë nga institucioni.