Katedra Jean Monnet e drejtuar nga Dr. Dorian Jano, pranë “Universiteti Barleti”, në bashkëpunim me Fakultetin e Edukimit të Universitetit “Aleksandër Moisiu”, me dekane Prof. Asoc. Kseanela Sotirofski, mbështetur nga Ambasada e Mbretërisë së Holandës në Shqipëri organizuan ditën e premte, më 5 qershor 2015, në Durrës debatin e hapur me temë “Gratë në qeverisjen vendore”.
Në këtë veprimtari morrin pjesë studentë dhe pedagogë të Universitetit mikpritës, veprimtarë politikë dhe të shoqërisë civile të Durrësit. E nderuan këtë aktivitet me pjesëmarrjen dhe fjalën e tyre Znj. Dewi van de Weerd, Ambasadore e Mbretërisë së Holandës në Shqipëri dhe Dr. Eglantina Gjermeni, Ministre e Zhvillimit Urban.
Në fjalën e tij të përshëndetjes, Prof. Kristaq Kume, Zv. Rektor i Universitetit “Aleksandër Moisi”, njohës i mirë i proceseve zgjedhore, theksoi rëndësinë e rritjes së përfaqësimit të gruas në organet e qeverisjes dhe në veçanti në ato vendore. Zonja Dewi van de Weerd duke bërë një retrospektivë të shkurtër historike të pjesëmarrjes së gruas shqiptare në vendimmarrje, përshëndeti progresin e viteve të fundit dhe ndryshimet në legjislacion. Ajo solli gjithashtu përvojën e vendit të saj dhe evidentoi disa dukuri që ende janë pengesë për një rol më aktiv të grave dhe barazi në të gjitha aspektet e jetës sociale dhe familjare.
Ministrja Gjermeni ngjalli mjaft interes me bisedën e saj, sepse solli jo vetëm përvojën e saj të gjatë në mbështetje të çështjes së barazisë, por edhe atë të politikanes grua, së cilës i duhet të përballojë shumë sfida, por që me kurajo, përkushtim dhe punë mund të kapërcehen. Veçanërisht ajo theksoi rëndësinë që ka për veprimtaret e politikës, mbështetja që duhet t’u japë atyre edhe shoqëria civile.
Mjaft të dobishme dhe realiste ishin mesazhet që dhanë kandidatët për këshillin e bashkisë së Durrësit, të listuar nga PS, PD, LSI dhe FRD, Jolanda Mustafaj, Arian Dedej, Adriana Hatellari dhe Galinija Gjoni.
Drejtueset e dy organizatave jofitimprurëse të mirënjohura për kontributin e tyre shumëvjeçar në dobi të komuniteteve vulnerabile dhe shumë aktive në mbështetjen e grave, znj. Bajana Ceveli dhe znj. Fabiola Egro dhanë mesazhe të rëndësishme edhe për studentët, duke theksuar rëndësinë e aktivizimit të vajzave e djemve të rinj në veprimtari politike si garanci për një të ardhme më të mirë.
Në mbyllje të diskutimeve, moderatorja e debatit, Dr. Saemira Pino, dekane e Fakultetit të Shkencave Sociale në UB, theksoi se me gjithë arritjet e derisotme çështja e rritjes së rolit të gruas në vendimmarrje kërkon ndërgjegjësimin e mëtejshëm të të gjithë aktorëve në shoqëri për të kuptuar edhe më mirë se një përfaqësim dhe rol më aktiv i grave është i lidhur drejtpërsëdrejti me progresin social, me respektimin e të drejtave të njeriut, me barazinë në familje, me vetë thelbin e demokracisë funksionale.