Ç’do të ndodhte sikur politikanët të qëndronin ulur në një sallë komforte lektoriumi, ndërsa studentët ngjiten në podium e paraqesin kumtesa mbi elitën politike? Ajo që ndodhi mëngjesin e sotëm në Universitetin “Barleti” dhe tryezën e rrumbullakët me temë: “Elitat politike në këndvështrimin e studentëve”.
Përfaqësues të politikës shqiptare si Ermelinda Meksi, Luan Hajdaraga, Pëllumb Xhufi, Lajla Përnaska, Sabit Brokaj, Gaqo Apostoli, etj, asistuan në një minikonferencë me kumtesat e 5 studentëve të vitit të dytë në fakultetin e Shkencave Politike pranë këtij universiteti, duke marrë pjesë në komentet në përfundim të çdo prezantimi. Pikërisht nga këto diskutime rezultoi ideja e nevojës që elitat politike të mos vetëquhen të tilla, e një mekanizmi që t’i përzgjedhë si dhe e një politike që të mund t’i bashkojë ato.
Të ftuarit dhe pedagogët e UB-së vlerësuan punën e studenteve Blerta Spiraj, Iva Mera, Alsida Gjeçi, Rezarta Stefalla, Isida Begalla, që ndezën debat dhe mblodhën politikanë të sferës së majtë e të djathtë, pedagogë, studentë, gjimnazistë, prindër e përfaqësues të medias, në një eveniment - i pari në llojin e vet në nivelin universitar.
Takimi i organizuar nga pedagogët Zamira Çavo dhe Ermira Danaj të Sociologjisë Politike, drejtuar nga studentët Roland Çelmeta dhe Eda Karaiskaj, u zhvillua në prezencë të mediave dhe u pasua nga një coctail në kafeterinë e universitetit.
Mbi kumtesat e studentëve
Studentet e vitit të dytë të Shkencave Politike në UB nxorën në pah përqasjet teorike dhe ato aplikative me realitetin konkret shqiptar. Kjo duke u fokusuar fillimisht në konceptin sasior të elitave ku numri i personave të sferës politike të konsideruar elitarë, edhe pse i vogël, nuk përjashton ekzistencën e tyre, siç tha në kumtesën “Elita dhe matësi i saj” Blerta Spiraj.
Shndërrimi i hapësirës publike në hapësirë publicitare nga ana e elitës politike shqiptare (ku ajo reklamon veten dhe programin e partisë përfaqësuese); shndërrimi i debatit politik (përmes universit terminologjik që përmban në vetvete) në debat konflitual; si dhe roli i medias dhe gazetarëve në shpalosjen e aftësive të politikanëve, ishin pikat kryesore të trajtuara nga Iva Mera në “Elitat në debatin politik”.
Po në rast se elita politike në Shqipëri quhet e tillë por nuk është e mirëfilltë? Atëherë ajo nuk i hap rrugë zëvendësimit, hapësirës për të rinjtë jo vetëm në kuptimin e moshës por dhe të mendimit, tha Rezarta Stefalla në “Zëvendësimi i elitave në Shqipëri: zhvillim dhe progres”.
Pas kumtesës “Roli i institucioneve” nga Isida Begalla, kjo tryezë u mbyll me studenten Alsida Gjeçi e cila në “Realiteti shqiptar dhe elitat” u përqëndrua në fushatën zgjedhore dhe ndikimin e procesit zgjedhor në administratë. Ideja përfundimtare e saj ishte nevoja e ndërgjegjësimit të popullit dhe roli i rinisë e i kontributit të saj me një frymë moderuese e largpamëse në komunikimin politik.
Aktiv prej tre vitesh, “Barleti” njihet si një nga universitetet private me stafin më cilësor akademik në vend, dhe përfshirjen në strukturën e tij drejtuese të emrave më në zë të shkencës, ekonomisë, drejtësisë, informacionit, që kanë dhënë e japin kontribut në realitetin shqiptar si akademikë, juristë, analistë politikë, gazetarë etj.