Në mjediset e Muzeut Kombëtar u mbajt dje takimi i parë mes studentëve të universiteteve jopublike, ku u krijua dhe Forumi për Universitetin Cilësor. Synimi i këtij takimi ishte nxitja e një diskutimi mes atyre studentëve që mbështesin reformën e arsimit të lartë dhe gjithashtu të informojë publikun për shumë nga faktet e shtrembëruara që janë dëgjuar këto kohë në media.
Forumi mbështetet nga rrjeti i qeverive studentore të universiteteve të ndryshme si; “Barleti”, “Epoka”, “Polis”, Universiteti Europian i Tiranës, “New York University of Tirana”, “Tirana Bussines University”, “Aldent” dhe Universiteti Mesdhetar. Në takim morën pjesë dhe shumë studentë që studiojnë në Universitetin e Tiranës dhe që mbështesin reformën e re në arsim. Studentët e universiteteve të pavarura, jopublike, kanë thënë fjalën e tyre për reformën në Arsimin e Lartë.
Studentët e Forumit për Universitetin Cilësor kërkojnë akses të barabartë në fonde publike dhe konkurrueshmëri mes universiteteve. Kjo kërkesë vjen në një kohë kur vetëm universitetet jopublike i janë nënshtruar procesit të akreditimit, ndërsa universitetet shtetërore jo vetëm që nuk kanë asnjë program të akredituar, por edhe refuzojnë t’i nënshtrohen këtij procesi duke qëndruar jashtë standardeve akademike dhe infrastrukturore.
Pse zgjedhin të studiojnë në universitet jopublik?
Zgjedhja për të studiuar në një universitet privat, për ta ka qenë e një rëndësie të veçantë, pasi ky sektor i ofron kushte bashkëkohore të infrastrukturës, pedagogë të përkushtuar në profesionin e tyre dhe mjaft mundësi promovimi në angazhime të jetës studentore
Deklarata e plotë e Forumit për Universitet Cilësor
Ne, përfaqësues studentësh të të gjitha cikleve të studimit, të universiteteve publike dhe jopublike, të mbledhur sot në Muzeun Historik Kombëtar, vendosim të miratojmë iniciativën e një grupi nismëtar, për krijimin e Forumit për Universitetin Cilësor.
Të bindur se, rreth 15 vjet pas liberalizimit të hapësirës universitare në Shqipëri, më e rëndësishmja është cilësia e studimeve;
Të bindur se është e pamundur të kemi një universitet cilësor pa pjesëmarrjen dhe mbështetjen e të gjithë aktorëve të shoqërisë;
Të bindur se qeveria duhet ta kryejë më mirë detyrën e saj në krijimin e kushteve për një edukim cilësor, por ajo e ka të pamundur t’ia arrijë tërësisht me fondet publike;
Të bindur se, askush nga vëllezërit dhe motrat tona nuk duhet të mbesë pa studimet me cilësinë e duhur, në përputhje me meritën, por pa u kushtëzuar nga gjendja financiare;
Të bindur se, hapja gjithnjë më e madhe e tregut global dhe lëvizshmëria e studentëve në tregun e punës ndërkombëtar kërkon një edukim të standardeve më të larta ndërkombëtare, vendosim sot të krijojmë Forumin për Universitetin Cilësor.
Ne kërkojmë:
1. Universitet cilësor me çdo çmim.
2. Ne kërkojmë një sistem solidar.
3. Ne kërkojmë një barazi të plotë mes të gjitha llojeve të subjekteve.
4. Ne kërkojmë konkurrencë të plotë dhe jo diskriminim të një sektori ndaj tjetri, jo diskriminim të sektorit privat kundrejt atij publik.
5. Ne kërkojmë akreditim dhe rankim ndërkombëtar.
6. Ne jemi për rritjen e transparencës në universitete.