Mendart në UMB

Me moton "Mendo artistikisht për një jetë shpirtërore të pasur por vepro realisht për një të ardhme prosperë" kemi menduar të ridimensionojmë kategorinë "Mendart", që ekziston tashmë dhe i është bërë e njohur barletasve. Jemi munduar që në këtë stinë të ftohtë të dimrit, te cilës i shkon aq bukur zhvillimi i letërsisë sidomos prozës së shkruar, të mund të bëjmë të njohur për studentet tanë veprat prozaike dhe publicistike më të rëndësishme të letërsisë shqiptare dhe asaj të huaj.

Me këtë qëllim kemi organizuar aktivitetin "Stina e Librit" ku do të kemi të ftuar autorët e mëposhtëm që të mund të prezantojnë veprat e tyre letrare apo publicistike:

1. E. Rama "Kurbani"

2. B. Blushi "Shqipëria"

3. B. Fevziu "Enver Hoxha"

4. A. Stefani "Komploti kundër Lirisë"

5. A. Puto "Lufta italo-greke, diktatorë dhe kuisilingë"

6. L. Kume "Lux"

7. P. Zogaj "Nuk ndodh asgjë veç dashurisë..." (poezi)

8. S.Ngjela"

Autorët e sipërpërmendur jo vetëm që do të njohin më thellë me krijimtarinë e tyre por edhe me kulisat apo sekretet e saj. është parashikuar që edhe studentët të lexojnë individualisht një pjesë të veprimtarisë së shkrimtarit dhe të mund të kemi një bashkëbisedim në formën e një almanaku letrar.

Muaji mars do të koinçidojë me kulmimin e këtij aktiviteti ku do të bëhet një leksion interaktiv mes studentëve dhe përfaqësuesve të fakulteteve rreth kryeveprës së letërsisë botërore të Fiodor Dostojevskit "Krim dhe ndëshkim".

Kjo kryevepër e letërsisë botërore e ribotuar së fundmi nga Botimet Dudaj, besojmë se do të risjellë shijen e vërtetë të të bukurës dhe leximit tek studentët tanë. është menduar pikërisht kjo vepër pasi shumica e studentëve të vitit të pare, janë djem dhe përzgjedhja e tyre është më shume një vepër dinamike sesa një tjetër rehatuese, përpos kësaj libri paraqet më së miri llojet e ndryshme të karaktereve njerëzore që nga njeriu i cili detyrohet të kryeje një krim e deri tek vuajtja e tij e brendshme, brejtja e ndërgjegjes dhe nënndërgjegjes e cila e çon deri në shkatërrimin e gjësë më të shtrenjtë për individin: dinjiteti njerëzor.

Mendoj se libri dhe tema e tij kryesore paraqet një interes të veçantë sidomos për Drejtësinë ku studentët e vitit të parë apo të dytë pak nga leximi i librit dhe më shumë nga lënda e drejta penale e përgjithshme do të kuptojnë më së miri anën subjektive të krijimit të një vepre penale, elementin faj si dhe zhvillimin e mendimit kriminal tek individi. Duke kulmuar e gjithë kjo me rehabilitimin: sëpari rehabilitimin mendor, shpirtëror dhe moral të personazhit kryesor Redion Raskolnikov e deri tek rehabilitimi i tij shoqëror.

Nga ana tjetër mendoj se paraqet interes dhe për Shkencat Sociale sidomos në pikat për të kuptuar se çfarë e shtyu një student si Redion Raskolnikov të planifikojë një vrasje dhe një grabitje. Ç'rol luan shoqëria në brumosjen e një individi? A lindin njerëzit kriminelë apo shoqëria dhe realiteti i kthen në të tillë? Ç'rol luan urrejtja në një shoqëri? A ishte veprimi i Raskolnikovit një revoltë apo thjesht mbijetesë. Si e sheh Dostoievski fenomenin e prostitucionit? Po atë të nderit të familjes? Si e përjeton personazhi kryesor peshën e fajit dhe cili do të ish çlirimi për të?

Disa nga temat e mësipërme do ju shpërndahen studentëve për të krijuar një ese dhe në leksionin interaktiv do të vendoset se kush do të jetë eseja më e bukur. Kështu mendojmë që deri diku të ndihmojmë studentët tanë të zbukurojnë dhe gjuhën e tyre letrare me të cilën kanë disa mangësi, por sidomos kërkojmë t'ju lëmë në mëndjen e tyre një libër që është gur themeli në letërsinë botërore. Esetë më të bukura do të pasqyrohen në numrin e radhës të "Zëra-ve Studentorë".

Organizues të këtij aktiviteti final:

Dekani i studentëve me anë të Klubeve si dhe Zyrës së Shërbimeve Studentore

Koordinatorja e Klubeve Studentore që do të ndihmojë në përzgjedhjen e studentëve (min 5, max 10 studentë) që do të lexojnë këtë vepër.

Përfaqësues të Fakulteteve, për drejtimin e leksionit interaktiv që do të mbahet në një përiudhë të caktuar.

Shtëpia botuese Dudaj që për fituesin do mundësojë çmimin prej 2 librash falas (titujt lihen në përzgjedhjen e shtëpisë botuese).

Në këtë konkurs janë te mirëpritur të marrin pjesë si studentët e UMB-së ashtu edhe gjimnazistët e pasionuar pas letërsisë në përgjithësi!